Gjergj Vyshka 25.01.2017 18:00
Lumturi Pepa ka sjellë me dokumente auditin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nëKlubin Shumësportësh “Studenti”, që është kryer në periudhën 11-15 korrik 2016. Në konstatimin e bërë është arritur në përfundimin se nuk është zbatuar organika analitike duke paguar jashtë strukturës së miratuar pozicionin e përgjegjësit të fushës, pozicionin e punonjësit të mirëmbajtjes, tre roje me armë dhe pozicioni i shoferit këto në vend të sportistëve cilësorë.
Po kështu janë të paplotësuar katër vende pune sipas strukturës së miratuar, dosjet e personelit janë gjetur të paplotësuara me të gjithë dokumentacionin përkatës, si dhe janë gjetur raste kur dokumentacioni është i panoterizuar. Rregullorja e brendshme e pa miratuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ndërsa në rregullore nuk është përcaktuar funksionimi i klubit “Studenti”, nuk ka status klubi, si dhe janë paguar 5 punonjës në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave 610 të datës 24 korrik 2013.
Por edhe në kundërshtim me ndryshimet e shtesat në vendimin e Këshillit të Ministrave 717 të datës 23 qershor 2009, ndërsa dëmi ekonomik është në masën 354.200 lekë të rinj. Po kështu, janë kryer pagesa për sigurime shëndetësore për 7 punonjës pa miratimin e MAS-it dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Janë bërë shpenzime për dieta për 8 punonjës në Elbasan me një dëm ekonomik 85,900 lekë të rinj. Sistemi i kontrollit të brendshëm lidhur me trajtimin ushqimor të sportistëve nuk funksionon.
Janë kryer pagesa për 5 trajnerë, të cilët janë përfshirë në strukturën e klubit, por kjo pagesë nuk është e specifikuar në kreun e parë (Përfitimi i trajtimit për përgatitjen e sportistëve të nivelit të lartë, pika 1, VKM 1720 datë 28 tetor 2008 për kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë të sportistëve për mënyrën e shpërblimit të sportistëve që i arrijnë këto nivele, si dhe për përfitimin e trajtimit për përgatitjene sportive). Dhe në përfundim është nxjerrë urdhëri nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.
Më 10 tetor 2016, ajo urdhëron që Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Shërbimeve të Përgjithshme pranë MAS-it të rishikojnë nga ana teknike strukturën e klubit “Studenti”, sepse numri i punonjësve ndihmës është i lartë dhe i paargumentuar. Struktura e rregullt të jetë në unison me klubet e tjera. Po kështu është urdhëruar të hartohet një rregullore e brendshme, të ndërpriten pagesat e përfituara në kundërshtim me VKM-në 610 datë 24 korrik 2013, si dhe për disa ndryshime dhe shtesa në VKM 717 datë 23 qershor 2009 për pagat e punonjësve mbështetës, të ndërpritet pagesa e përfitimit të vështirësisë në punë, si dhe trajtimi ushqimor për trajnerët e klubit “Studenti”.
E në këtë pikë është urdhëruar Drejtoria e Sportit në MAS të përcaktojë trajtimin ushqimor të trajnerëve. Në masat e marra si zhdëmtim janë shumat e përfituara padrejtësisht për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës brenda vendit, apo dhe për pagat e punonjësve mbështetës. Ky ka qenë auditi i klubit sportiv Studenti, firmosur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, më 10 tetor 2016 me numër protokolli 6803/3.