AlbanianSport.com 25.01.2017 17:05
ASNN – Ishte e pritshme që, ndonëse me pak vonesë, Federata e Futbollit të Serbisë (FFS), të reagojë ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës së Arbitrazhit të Sportit, në të cilin është refuzuar kërkesa e kësaj Federate për anulimin e vendimit për pranimin e Kosovës në UEFA me të gjitha të drejtat e vendeve të tjera evropiane.
Reagimi i FFS-së, në fakt është një reagim politik dhe nuk asgjë të përbashkët me sportin dhe me futbollin si sport. Ai bazohet në konstatime të paqëndrueshme edhe me ato politike pasi nuk njeh dhe nuk do të njohë asnjë realitet të Kosovës tashmë të njohur nga shumë vende të Kombeve të Bashkuara.
Pa gjetur argumente të tjera ndaj vendimit të drejtë të CAS-it për Kosovën, FFS e quan atë “ vendim i turpshëm për arbitrazhin sportiv” dhe premton vazhdimin e luftës kundër futbollit kosovar. Nuk është për t’u habitur pasi edhe sporti ka kohë që i është bashkuar orkestrës politike të Beogradit kundër Kosovës.
“Sikur CAS ta kishte vështruar të drejtën në sy, pa konotacione politike, nuk do të kishte ndodhur kjo dhunë e re ndaj sportit e futbollit. FFS do ta vazhdojë luftën për të vërtetën dhe të drejtën në përputhje me të gjitha mundësitë që ka”, – ka përfunduar organizmi që qeveris futbollit serb.