Gjergj Vyshka 25.01.2017 14:20
Shqipëria e futbollit të sallës e ka nisur me këmbë të mbarë pjesëmarrjen në turin paraeliminator të Kampionatit Evropian, teksa dje në mbrëmje në Varna ka “mbytur” skuadrën vendëse të Bullgarisë. Shtatë gola dhe një rezultat i thellë 7-1, si asnjëherë më parë për kuqezinjtë, që praktikisht i ka pasur këto rezultate me përfaqësuese të vogla e nën nivelin e saj, tregon përgatitjen serioze që ky ekip ka bërë në Prishtinë.
Jo vetëm kaq, por edhe prania e një shumice futbollistësh që luajnë në kampionate të huaja i ka bërë mirë kombëtares kuqezi, që në fakt vuan mungesën e një kampionati të futbollit të sallës në vendin tonë. Kuqezinjtë e kanë nisur shpejt ndeshjen, ndërsa në minutën e 13-të, Brahimi e ka kaluar në epërsi skuadrën tonë. Vetëm pas një minute bullgarët janë detyruar të shënojnë në portën e tyre me Gerenskin, që devijon goditjen e Selmanajt.
Pjesa e dytë ka nisur me golin e Selmanaj, ndërsa ngushtimi i rezultatit nga Stojkov nuk i ka prishur punë kuqezinjve, të cilët kanë shënuar dhe 4 herë të tjera me Brahimit, Selmanajt, Mullajt e Shkodrës. Përfundimisht 7-1 dhe një nisje e fortë e Shqipërisë, ndërkohë që Anglia ka mundur 6-1 Maltën. Për të kapur vendin e parë në grup tashmë duhet dhe fitorja sot me Anglinë.
Ndërsa në fund ndeshja me Maltën do të jetë thjesht për kalendar. Por kështu me këtë rezultat Shqipëria e futbollit të sallës premton të jetë në raundin tjetër të Evropianit, që do të ishte një arritje e madhe e tanëve.
Bullgari – Shqipëri 1-7
Shënues: Stojkov 28’ / A. Brahimi 13’, 35’, Selmanaj 14’,
Selmanaj 22’, 36’, Mullaj 39’, Shkodra 40’
E martë, 24 janar 2017, ora 19:00 (20:00 lokale)
në Pallatin e Kulturës dhe Sportit, Varna, Bullgari
Bullgaria: Hadijiev, Geramisov, Gerenski, Dimov, Kosiç / K. Ivanov, Arsov, Dashev, Velikov, Petev, Shutev, Stojkov, Nestorov, M. Ivanov. Trajner: D. Pantev
Shqipëria: Gashi, A. Brahimi, Mejzini, Selmanaj, Halimi / Rrapi, Agolli, Alibegu, Begaj, Mullaj, Shkodra, Kaca, Shkodra. Trajner: E. Resuli
Gjyqtarë: J. Barton (Maqedoni), D. Jarushievicz (Poloni)
Kartonë të verdhë: Kostiç, Velikov (2) / Agolli
Karton i kuq: Velikov