Nga Gjergj Vyshka 25.01.2017 13:25
Drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Doçi: Janë në pronën e tyre, sepse ish-kompleksi Dinamo me VKM i është kaluar Bashkisë së Tiranës. Park olimpik në shërbim të sportit, apo park gjelbërimi në shërbimit të komunitetit që jeton rreth ish-Kompleksit “Dinamo”? Kjo është pyetja që shtrohet, ndërsa mësymja e së hënës nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës për të marrë mjediset i ka bërë përshtypje të gjithë atyre që punojnë në ish-Kompleksin “Dinamo”.
Në fakt, të paktën edhe sipas dëshmitarëve të asaj ngjarje që ka ndodhur të hënën, mësymja nuk ka qenë krejtësisht pa shkak. Prej muajsh është folur që Federata Shqiptare e Futbollit, duke e përgjysmuar idenë e shndërrimit të ish-Kompleksit “Dinamo” në një park gjigant olimpik, do të marrë godinën ekzistuese dhe fushat e futbollit. Madje ishte miratuar dhe me vendim në Komitetin Ekzekutiv për fillimin e projektit.
Dhe si të tillë, të paktën në fundjavën e kaluar, janë njerëz me piketa që bënim matjet pikërisht për këtë qëllim. E pas kësaj të hënën ka ardhur Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, që jo vetëm ka marrë katin e parë dhe të dytë, por ka nisur të vërë dhe polic privat. Drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, i pyetur nga “Sport Ekspres” ka treguar se janë në pronën e vet, pasi ish-Kompleksi “Dinamo” me vendim të Këshillit të Ministrave i ka kaluar tashmë Bashkisë së Tiranës.
“Katin e parë, – thotë Doçi, – do ta bëjnë për zyrat e tyre, duke e ndarë pjesë-pjesë. Po kështu në katin e dytë zyrat për ta janë, sepse janë ato që janë lënë bosh nga Drejtoria e Sporteve më Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Sa për Federatën Shqiptare të Futbollit duhet vendim i Këshillit të Ministrave që të marrë ato që pretendon. Duhet të dini që ish-Kompleksi “Dinamo” është pjesë e Parkut të madh të kryeqytetit dhe si i tillë po trajtohet”.
Parë kështu, pikëpyetja mbetet e madhe nëse do të jetë vërtetë park olimpik në shërbim të sportit, apo park gjelbërimi për komunitetin e lagjes.