Gjergj Vyshka 25.01.2017 09:45
Qitësja: “Diana Mata nuk ka qenë asnjëherë trajnerja ime, sepse ajo është trajnere e pistoletës. Sa për thyerje disipline, t’i thonin në gjyq.” Nuk mjaftojnë problemet e peshëngritjes, që kanë më shumë se sa 10 ditë që kanë pushtuar faqet e gazetave dhe mediat vizive, por tashmë janë hapur problemet dhe në qitje. Pikërisht reagimi i djeshëm i shefit të Klubit Shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, dhe trajneres Diana Mata për Lumturi Pepën, e cila ka një fitore të pjesshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, e ka bërë këtë të fundit që të reagojë për “Sport Ekspres”.
Sipas saj, Diana Mata nuk ka qenë asnjëherë trajnere e saj, sepse ajo është në disiplinën e pushkës, kurse Mata në atë të pistoletës. “Unë dua të di, – thotë Pepa, – se çfarë ligji ka zbatuar Nallbani? Trajneri im prej 22 vjetësh ka qenë Alush Alla, trajneri i pushkës. Kë quani thyerje disipline ju të kërkosh të drejtën tënde, apo që tregova për trajtimin e Dianës dhe solla gazetarin që të nxirrnit listën e trajtimit, të cilin e fshihnin që të mos merrej vesh që e merrte trajtimin padrejtësisht duke shkelur ligjin. Auditi i Ministrisë ia ndërpreu menjëherë trajtimin.”
“Ku janë të rinjtë që Diana Mata i le pa stërvitje kur t’u përmend trajtimi, ndërsa ai trajtim nuk është për trajnerët, por për sportistët, – ka vijuar qitësja veterane. – Aq më tepër për ty që nuk ke asnjë sportist në poligon gjithë vitin, vetëm ditën e garave, ose një javë para tyre. Habia është se ata që janë kapur me shkelje vazhdojnë të punojnë pa ju cenuar asgjë, ndërsa unë që nuk jam gjetur me shkelje duhet të dënohem.” Pepa pohon se gazetarit të emisionit investigativ “Stop” të Televizionit “Klan”, financierja e klubit Studenti, Çelimeta ju përgjigj se nuk i kanë listat e trajtimeve financiare.