Gjergj Vyshka 24.01.2017 18:00
Çuditë nuk kanë të sosur në Shqipëri, sidomos në sport. E ndërsa jemi në pritje të përfundimit të gjysmës së Parkut Olimpik të Tiranës nga pas ish-kompleksit “Dinamo”, kur pjesën e përparme së bashku me godinën ekzistuese dhe fushat e futbollit u tha se do ta merrte FSHF-ja, dje ka ndodhur çudia. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, me drejtor Blendi Gonxhen ia ka mësyrë dje rreth mesditës në ish-kompleksin “Dinamo”.
Ka nisur krasitja e të gjitha gëmushave dhe pemëve që ndodhen përpara ish-restorantit të klubit Dinamo, që deri dje ka qenë lokal që administrohej nga trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, dhe për rrjedhojë dhe shkarkimi i të gjitha materialeve të kësaj ndërmarrjeje. Drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, së bashku me Drejtorin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës, Blendi Gonxhe, kanë parë të gjitha mjediset rreth e qark.
Të gjithë sekretarët e Federatave Shumësportëshe kanë parë atë që ka ndodhur, ndërsa i pranishëm ishte dhe shefi i Klubit Shumësportësh “Partizani, Shkëlqim Muça, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Tashmë ajo që mësohet se një pjesë të godinës, që nga kati i parë dhe kati i dytë, aty ku ndodhet sot salla e mbledhjeve të ish-kompleksit, apo dhe zyrat e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve dhe Klubit Shumësportësh “Partizani”, do t’i kalohen Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës.
Që do të thotë se në kompleks nuk bëhet thjeshtë fjalë për sport, apo dhe park olimpik. Por… vështirë t’ia gjesh emrin.