AlbanianSport.com 24.01.2017 07:55
ASNN – Në atë që është padyshim ulja e siparit të një epoke të cilën ai e dominoi personalisht për 40 vjet, mbretërimit të Berni Eklestonit si kreu ekzekutiv i “Formulës 1” po i vjen fundi. Por shpejtësia me të cilën kjo po ndodh, është një shenjë e qartë se pronarët e rinj, kompania “Liberti Midia”, kërkojnë të ndryshojnë mënyrën sesi administrohet ky sport.
Në të njëjtën kohë, kjo përfaqëson kthesën më domethënëse të administrimit të “Formulës 1” që nga koha kur Eklestoni mori drejtimin e saj në fund të viteve 1970. Kompania që e ka blerë “Formula 1”-shin para një jave, kishte bërë të ditur më parë se planifikonte ta mbante Eklestonin edhe për 2-3 vjet të tjera, që të mundësonte një kalim sa më me pak probleme të administrimit tek pronarët e rinj.
Por 86-vjeçari është zëvendësuar tanimë nga Çejs Keri, i cili ishte emëruar më parë president i F1-shit dhe tanimë është bërë edhe shefi ekzekutiv i saj. Ndërsa Berni Eklestonit i është dhënë pozicioni i presidentit të nderit, por ai nuk do të jetë pjesë e procesit të vendim-marrjes.