AlbanianSport.com 23.01.2017 15:25
ASNN – Më 12 janar 2017, kombëtarja shqiptare e volejbollit për femra njohu kundërshtarët e fazës së grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa njëra nga dy fazat, ajo nga data 9, deri më 11 qershor 2017, do të zhvillohet në Shqipëri. Ndonëse për vajzat kuqezi të volejbollit çdo kundërshtar evropian mbetet i fortë, shorti në të njëjtin grup me Bjellorusinë, Finlandën dhe Austrinë e bën trajnerin Altin Martiri optimist për një kualifikim të mundshëm.
“Vitin e kaluar kishim skuadra shumë të forta, ndërsa këtë vit përveç Bjellorusisë, të cilën e njohim mirë, bën pjesë dhe Austria dhe Finlanda, – ka thënë ai për mediat sportive të ditës. – Në këndvështrimin tonë nuk janë skuadra elitare në volejboll. Vjet arritëm dy fitore, ndërsa këtë radhë pretendojmë kualifikimin”. Përfaqësuesja shqiptare e rrjetës e mbylli në vendin e dytë turneun miqësor “Novotel Cup 2017”, që u zhvillua në Luksemburg.
Ajo ka koleksionuar dy fitore me të njëjtin rezultat 3-0 me vendin organizator dhe Lihtenshtejnin, ndërsa në takimin hapës u munden 3-1 nga Norvegjia. “Në fakt besoja që do ta mbyllnim në vendin e parë, por një nga vajzat tona më cilësore mbërriti një ditë me vonesë dhe mungesa e saj na kushtëzoi shumë në takimin e parë me Norvegjinë”, -ka theksuar Martiri. E sipas të parit të bankinës kuqezi rritja e kandidatëve për ekipin kombëtar do të sjellë dhe rritjen e cilësisë për kombëtaren në Ligën e Evropës.
“Ne jemi të kënaqur me rezultatet dhe me lojën, por mbi të gjitha për faktin se është rritur baza për përzgjedhjen e vajzave për ekipin e parë”, – ka përfunduar trajneri i përfaqësueses shqiptare të volejbollit për femra, Altin Martiri.