Gjergj Vyshka 23.01.2017 09:35
Tashmë problemi i peshëngritjes ka marrë dhenë, sepse i gjithë komuniteti sportistë e trajnerë janë bërë pro Erkand Qerimajt për gjithçka që ka thënë deri më tani ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. E një prej tyre është dhe Kristi Ramadani, i cili në një status në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, u ka kërkuar drejtuesve aktual që t’i lënë sportistët të vendosin vetë. “Si peshëngritësi më i mirë i “pionierëve” për këto 3 vitet e fundit ndjej dhe unë të përfshihem në ngjarjet e ndodhura së fundmi në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes”, – shkruan shtangisti i ri.
“E kjo për të ardhmen tim dhe të gjithë peshëngritjes shqiptare, sport i cili nuk ka nevojë të përshkruhet, – ka vijuar Ramadani. – Peshëngritja ka treguar që cilado ka qenë situata e saj ka qenë gjithnjë ajo ka dalë triumfuese dhe e ka ngritur flamurin shqiptar shumë herë në arenat më të rëndësishme ndërkombëtare. Edhe duke pasur probleme të shumta. Por nëse gjërat do të kishin shkuar si duhet dhe gjërat do të ishin bërë ashtu siç duan sportistët e trajnerët, e jo servilët dhe intrigantët, si do të ishte sot gjendja e peshëngritjes shqiptare?! Mendoj se kuptohet shumë lehtë kjo gjë.”
“Nëse sportistët dhe trajnerët nuk punojnë të qetë, nuk marrin çfarë meritojnë, atëherë si mund të kërkohet rezultat?!, – vijon peshëngritësi premtues i ekipit të “MasGlass”-it dhe ekipit kombëtar. – Si mund të vendoset fati i tyre nga njerëz që s’kanë lidhje me ta, nga disa mashtrues, nga disa materialistë, njerëz të cilët as që duan t’ia dinë për peshëngritjen, por vetëm për përfitimet e tyre personale. Gjërat duhet të ndryshojnë. Nuk mund të vazhdohet me këta drejtues palaço dhe sportistët e vërtetë janë duke ngritur zërin, sepse ka shumë pakënaqësi.”
“Ne nuk duam gënjeshtra, nuk duam palo drejtues, duam të drejtat tona dhe duam të vlerësohemi për çfarë kemi bërë, bëjmë dhe do të bëjmë. Peshëngritja është afruar afër humnerës që kur këta diktatorë e hakmarrës të ndyrë morën drejtimin e sportit tonë. Nëse nuk veprohet shpejt, atëherë e ardhmja s’do të jetë e mirë. Me këtë gjendje nuk ka asnjë shpresë dhe mundësi për të ngritur sportin e peshëngritjes. Lërini sportistët të vendosin”, – ka përfunduar peshëngritësi Krist Ramadani.