Gjergj Vyshka 23.01.2017 07:05
Trajneri i Shtërmenit, Leonard Toska, në peshëngritje vihet në krahë të peshëngritësit Erkand Qerimaj, që prej javësh ka nisur luftën me drejtuesit aktual. Ai në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ka akuzuar ashpër kreun e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, por dhe drejtuesit e tjerë si të paaftë për mbarëvajtjen e këtij sporti elitar në vendin tonë.
Siç dihet Leonard Toska, jo vetëm që ka votuar kundër kandidatit për president Elez Gjoza në zgjedhjet e 20 nëntorit 2016, të cilat janë zhvilluar në Vlorë, por ka qenë pro kandidatit tjetër, Theodhor Masllavica. Kështu që edhe këtë herë Toska është kundër Gjozës, ndërsa në statusin e tij, ai e ka kërkuar “copë” dorëheqjen e kreut të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për t’i hapur rrugë ndryshimit.
Ja dhe statusi i tij në “Facebook”, të cilin AlbanianSport.com po e sjell të plotë për transparencë për lexuesit e saj: “Jam Leonard Toska, trajneri i kombëtares së peshëngritje. Është turp kombëtar që në krye të peshëngritjes kombëtare qëndron Elez Gjoza me bandën e tij dhe servilat e tij. E çdo ditë peshëngritja po rrënohet nga presidenti Elez Gjoza.”
“Shtërmeni si ekip i peshëngritjes qëndron në krahë të legjendës së peshëngritjes Erkand Qerimaj, – ka vijuar Toska. – Ne e dimë se si ka ardhur në krye të peshëngritjes Elez Gjoza me disa ekipe fantazëm që sot nuk ekzistojnë më. Të tilla si Studenti, Dinamo, Partizani, Sukthi e shumë të tjerë. I kërkojmë largimin presidentit Elez Gjoza. Unë jam trajneri i dy olimpiadave të suksesshme në “Londër 2012” dhe Rio de Zhaneiro 2016”.”