ASNN – Ky projekt i ri për futbollin e femrave në Kavajë, përveç ngritjes dhe afirmimit të talenteve, do t’u besohet drejtuesve dhe trajnerëve me më shumë përvojë. Madje atyre që kanë kryer procedurat dhe kanë aktualisht licencimet përkatëse. Masat e para janë “kopsitur” si për drejtuesit, trajnerët, por edhe për shërbimet e tjera të rëndësishme që lidhen me fizioterapinë.
Gjithashtu, prania e mjekes është një zgjidhje tjetër e domosdoshme. Madje të gjitha vajzat, që do të integrohen në projektin e ri, do t’u nënshtrohen fillimisht analizave mjekësore dhe pas zbardhjes së tyre do të përpilohet edhe lista. E kështu faza e parë do të quhet e përmbyllur, për të nisur më tej stërvitja e parë.
Bashkë më përgatitjet e fundit, që po bëhen për nisjen e futbollit të femrave, klubi i Besës po tregon seriozitet në këtë moment edhe për zbatimin e procedurave të vënies në gatishmëri të të gjithë bazës materiale të nevojshme, me mjete bashkëkohore didaktike-stërvitore.
Këtu bëhet fjalë për topa, çanta, uniforma dimërore e verore dhe jelekë me tre ngjyra. Nëpërmjet këtyre zgjidhjeve vajzat e reja futbolliste, që kanë dëshirë të bëhen pjesë në këtë projekt, veçmas pasionit të tyre për futbollin do ta kuptojnë se janë me fat për zgjedhjen e tyre sportive.