Gjergj Vyshka 22.01.2017 18:55
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, tashmë i zgjedhur si president i Federatës Ballkanike ka dhënë këtë koment për “Sport Ekspres”: “Ishte një votimi unanim për president çka tregon edhe një herë çfarë ne kemi bërë deri më tani në volejbollin shqiptar. Kishte që nga 2007-ta që volejbollit shqiptar nuk merrte një pozicion të tillë.”
“Është detyrim dhe obligim për të përmbushur me sukses të gjitha përpjekjet tona për rritjen e volejbollit rajonal, – ka vijuar ai. – Po kështu është nder dhe pranimi i Kosovës, ndonëse Serbia u mundua ta fuste në kanale politike. Tashmë rritet dhe niveli i volejbollit shqiptar.” E për Ballkaniadën e Nën-19-vjeçareve, vajza, të mbetur pa vend organizator, Pëllumbi thotë se është një marrëveshje “xhentëllmenësh” me Serbinë.
“Sepse që të dy kemi aplikuar në Federatën Botërore të Volejbollit për një seminar gjyqtarësh. Kush e përfiton këtë seminar, organizon dhe këtë ballkaniadë. Do të jemi serioz në të gjitha detyrimet tona ndaj ndërkombëtarëve”, ka përfunduar Pëllumbi, që tashmë është dhe president i Federatës Ballkanike të Volejbollit. Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola, është zgjedhur në komisionin e Marketingut të Federatës Ballkanike të Volejbollit, ku zëvendësoi grekun Atinodoros Shatzipanagiotov.