Gjergj Vyshka 22.01.2017 14:20
Një tjetër mbështetje ka ardhur për rekordmenin Erkand Qerimaj në betejën e tij kundër atyre që ai i quan abuzime të Elez Gjozës, Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Mbështetja kësaj radhe vjen nga një prej personaliteteve më të mëdhenj të sportit shqiptar Faruk Kalleshi. Ky i fundit është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i kombit”.
Kalleshi ka renditur një sërë akuzash ndaj Gjozës duke thënë se, nëse e pranojnë në takimin e Ministrisë së Arsimi dhe Sporteve, pa dyshim që do të tregoj fakte skandaloze për abuzimet që Gjoza ka bërë vazhdimisht me peshëngritjen. Trajneri pasqyron hapur mbështetjen që ka për Erkand Qerimaj duke pohuar se Elez Gjoza nuk mendon kurrë për sportistët, por vetëm për të zhvatur dhe në sytë e opinionit publik ai është servil.
Kalleshi akuzon Elez Gjozaj se pasurinë në të cilën jeton e posedon si një ish-doganier ose si Kryetar Minibashkie, i cili ka punësuar njerëz shumë të dyshimtë. Më tej ai thotë se në kryesinë e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes punojnë njerëz pa shkollë, ish-spiun të vërtetuar e njerëz me diploma false. “Duke qenë se kam detaje edhe me skandaloze e mbështes kampionin Erkand Qerimaj, ikonë e sportit shqiptar”, – ka thënë trajneri.
“Një sportist i shumë kupave dhe medaljeve në mbarë botën, pasi nuk i meriton këto padrejtësi që po i bëhen atij dhe sportit të peshëngritjes”, ka përfunduar Kalleshi, i cili në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, është rreshtuar në krah të Erkand Qerimajt.