Gjergj Vyshka 22.01.2017 07:55
Erlind Pëllumbi, presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Volejbollit, tashmë do të jetë për vitin 2017 edhe presidenti i Federatës Ballkanike. Kështu është vendosur në Asamblenë e 18-të të përgjithshme të Federatës Ballkanike, punimet e së cilës janë zhvilluar në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës.
Në këtë asamble, sipas njoftimit zyrtar të Federatës Ballkanike, kanë marrë pjesë zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit dhe njëkohësisht dhe thesaristi i saj, Ozkan Mutlugil, por edhe presidenti i Federatës Ballkanike të Volejbollit deri më 2016-ën, që është njëkohësisht dhe presidenti i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Milutin Popoviç, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Volejbollit, si dhe të gjithë anëtarët e këtij rajoni.
Në axhendë ishte diskutimi për organizimin e veprimtarive të vitit 2017 dhe ato që janë bërë më 2016-ën. E në fund është votuar kandidatura e Pëllumbit si presidenti i Federatës Ballkanike të Volejbollit për vitin 2017, ndërsa zëvendëspresident Cvetko Pajoviç. E ky është sukses për Pëllumbin si individ e në të njëjtën kohë dhe volejbollin shqiptar në tërësi.