Gjergj Vyshka 21.01.2017 14:20
Në fakt është një defekt më vete që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, e cila funksionon si organ pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, asnjëherë nuk i zbardh vendimet e saj. Gjë që është normale, sepse çdo gjykatë vendimet e saj penale, civile, apo dhe administrative i shpall për mediet. Vetëm në Gjykatën e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv në Shqipëri ndodh që çfarë gjykohet dhe çfarë merret vendim asnjëherë nuk thuhet për mediet.
Dhe për rrjedhojë çfarë ka ndodhur në KAS në lidhje me çështjen e Lumturi Pepës është marrë vesh prej një statusi të saj në profilin e vet në rrjetin social “Facebook”, që i është drejtuar Klubit Sportiv Studenti, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Kryeministrit Edi Rama. Lumturi Pepa e ka drejtpërsëdrejti me Diana Matën, ndonëse ajo së bashku me Emine Çeliramën kanë qenë në gjyq në emër të klubit sportiv “Studenti”. Sepse, sipas të gjitha burimeve, shefi i klubit sportiv Studenti, Blendi Nallbani, nuk ka shkuar dhe ka autorizuar këto dy përfaqësuese të klubit të tij.
Mirëpo Pepa e cilëson në statusin e saj në “Facebook”, Diana Matën një trajnere, e cila ka shkelur etikën sportive, dinjitetin e sportistit, personalitetin dhe dinjitetin e një shtetaseje shqiptare. “Shkëputi nga marrëdhëniet financiare një kampione dhe rekordmene padrejtësisht, – thotë Pepa, – cënoi një familje duke prishur dhe shkatërruar mbarëvajtjen e jetës normale, si dhe dinjitetin e familjes. Bëri shkresa falso duke i firmosur për përjashtim nga sporti pa baza.”
“Bëri shkresë që unë të dorëzoj bazën materiale, të cilën e kam fituar me djersë dhe punën e 35 viteve, – vijon më tej qitësja veterane. – Bëri shkresë për të më përjashtuar nga sporti se tregova atë që bënte duke shkelur Ligjin. Ka përdorur shkresa një e nga një pa baza të vërteta, por me shpifje duke shkelur Ligjin. Ka shkelur ligjin duke marrë trajtimin ushqimor duke favorizuar veten e saj mbi rrogën se lodhej duke shpifur derisa e kapi auditi dhe ia ndërpreu trajtimin. Përdori Ligjin e Sportit pa e njohur atë. Poshtëroi të gjithë karrierën time sportive të 35 viteve duke shpifur pa kriter.”
“Shkatërroi ekipin e të rinjve që formova duke mbyllur poligonin, armaturën dhe ata janë larguar tashmë, – ka theksuar Pepa. – Shpifi që jam pa licencën e trajnerit, që e kam prej 12 vitesh, apo dhe për diplomën false. Më paralizoi jetën prej 8 muajsh dhe manipuloi, tjetërsoi dhe falsifikoi shkresën e Ministrisë duke i paraqitur në gjyqin e KAS-it si të vërteta.” Sipas Pepës, e cila ka deklaruar se e ka fituar gjyqin në KAS, në vendim i është dhënë drejtë pjesshëm. E tashmë ka premtuar se luftën e saj me Diana Matën do ta vazhdojë në çështje të tjera gjyqësore.
Mirëpo duket si e vështirë që një mjeshtre, një kampione dhe medaliste ndërkombëtare si Diana Mata të arrijë të mashtrojë si KOKSH-in, Ministrinë apo Federatën Shqiptare të Qitjes dhe klubin. Por në fund, pavarësisht luftës personale me Matën, Pepa ka marrë vetëm një vendim të pjesshëm nga KAS, që do të thotë rrogat e prapambetura, e jo kthimin në klub.