AlbanianSport.com 21.01.2017 13:25
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, basketbollisti më i mirë i Kosovës, Dardan Berisha, është larguar të premten mbrëma nga skuadra për të cilën luante, duke vlerësuar tanimë se ajo nuk ishte e duhura për të.
Kështu, fundori Berisha është ndarë përfundimisht me skuadrën polake Polfarmex Kutno. Për këtë skuadër, ai luajti që prej fillimit të edicionit dhe ishte lider i padiskutueshëm i saj.
Në 14 ndeshje në kampionatin e Polonisë, Berisha realizoi mesatarisht nga 15,9 pikë për ndeshje, duke zotëruar edhe 2.9 topa në tabelë dhe duke dhënë edhe 2.8 pasime për kosh. Për 3 pikë, ai ka realizuar 26.4 % të gjuajtjeve.
Më herët, Berisha ka thënë se pati zgjedhur Kutnon për shkak të dëshirës për të pushuar për ca kohë, pra, që të luante në një mjedis më të qetë. Por rezultatet e skuadrës nuk ishin të pritura.
Tanimë mbetet për t’u parë nëse basketbollisti i njohur do të kthehet në Kosovë, ku më parë ka spikatur, si me Pejën, ashtu edhe me SIGAL Prishtinën.