AlbanianSport.com 21.01.2017 11:35
ASNN – Merkato mbetet ende e hapur dhe Arlind Ajeti nuk po gjen hapësirë te Torino edhe pse është pjesë e skuadrës prej verës së kaluar. Mbrojtësi i Kombëtares është aktivizuar vetëm në ndeshjen e Kupës së Italisë me Pizën.
Por, sipas të përditshmes sportive italiane, “Tuttosport”, mund të ketë një zgjidhje për të, Palermo. Skuadra siçiliane po përpiqet t’i shpëtojë rënies dhe sipas të përditshmes në fjalë, është një ide për një shkëmbim me Edoardo Goldaniga.
Një hipotezë e ngritur nga “Tuttosport”, që mund të jetë një zgjidhje për Ajetit, i cili shkëlqeu në fazën finale të Euro 2016-ës, madje duke u zgjedhur edhe lojtari i ndeshjes në fitoren me Rumaninë.
Ai firmosi disa muaj më parë me Torino me shpresën për të qenë protagonist, por trajneri Sinisha Mihajloviç, nuk e ka preferuar deri më tani. Arlind Ajeti u bë pjesë e Serie A në fillim të vitit të kaluar duke luajtur për Frosinonen, që nuk i shpëtoi rënies nga kategoria.