AlbanianSport.com 11.11.2014 14:20
ASNN – Jakupi: “Kundërshtari është i denjë për grupin tonë dhe di të marrë dhe pikë në transfertë”. Lezhjanët nisin të vlerësojnë ndeshjen me periferikët e kryeqytetit të shtunën e ardhshme. “Duhet ta vlerësojmë Kamzën si një skuadër e denjë e këtij kampionati, si kundërshtar që di të marrë pikë dhe jashtë fushës së saj”, – ka deklaruar për shtypin sportiv të ditës, Akil Jakupi, mbrojtësi i Besëlidhjes, i cili është autori i njërit prej golave të skuadrës lezhjane në Kavajë.
“Rezultatet e deritanishme janë mjaft domethënëse, skuadra është kompakte dhe di t’i fitojë ndeshjet e saj, – ka theksuar ai. – Kështu do të ndodhë dhe në ndeshjen e ardhshme.” Jakupi është një nga lojtarët e përvojës të skuadrës lezhjane, përvoja e të cilit është mjaft e dukshme në fushë. Është një lojtar që jo vetëm mbron dhe organizon, por dhe shënon. “Jemi të kënaqur me rezultatet tona”, – ka vijuar shtatlarti analizën e paraqitjes së skuadrës së tij këtë sezon.
“Kemi në gjirin e skuadrës një golashënues si Malo, – ka pohuar ai. – Por duhet që jo vetëm Malo të shënojë, por dhe të tjerët. Sidomos sulmuesit e tjerë në mënyrë që skuadra të kryesojë edhe me golashënues të tjerë në grupin A të Kategorisë së Parë. Sepse kështu tregojmë se jemi të denjë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore”, ka përfunduar futbollisti i Besëlidhjes, Akil Jakupi.