AlbanianSport.com 20.01.2017 21:15
ASNN – Pas zyrtarizimit si zëvendës-trajner i Kombëtares shqiptare, nëpërmjet një mesazhi publikuar në faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit, Marko Veroneze, ka shprehur kënaqësinë e marrjes së kësaj detyre, duke dhënë opinionin e parë në lidhje me këtë ofertë dhe detyrë të re, propozuar nga trajneri për vijimësinë e Eliminatoreve.
“Jam realisht i nderuar që do të mbuloj edhe një detyrë të tillë, për të gjetur dhe për të bashkëpunuar me njeriun që mund të mësosh shumë prej tij, – ka thënë ai. – Jam po kaq i nderuar që do të punoj në vendin e Paolos, të cilit i uroj realisht një karrierë shumë të mirë në drejtimin e Luganos. Do të jap maksimumin e impenjimit tim dhe do të vihem në dispozicion të plotë të trajnerit dhe skuadrës.”
Veroneze e konsideron si një eksperiencë interesante faktin që do të nisë detyrën e tij me ndeshjen kundër Italisë. “Prezenca ime në stol nis me Italinë? – ka vijuar 40-vjeçari. – E bukur, por edhe stimuluese. Por, është një ndeshje shumë e rëndësishme si gjithë të tjerat që do të zhvillojmë në grup.” Kështu pra, ndihmësi i De Biazit, Marko Veroneze, mori të enjten edhe zyrtarizimin e bashkëpunimit të tij me FSHF-në.