Gjergj Vyshka 20.01.2017 12:55
Shqipëria e Kosova kundërshtare në futbollin e femrave. Ky është përfundimi i shortit të turit paraeliminator të Botërorit “Francë 2019”, ndërsa nga data 6, deri më 11 prill 2017 ndeshjet e grupit 2, atje ku janë dhe Greqia e Malta do të zhvillohen në Shqipëri. Nëse deri dje kemi luajtur vetëm miqësore, apo kemi marrë dhe futbollistë, të cilët kanë pranuar të veshin fanellën kuqezi, tashmë do të duhet të jemi kundërshtarë. Dhe në fakt kjo ditë pritej, sepse e pranuar tashmë si anëtare e Federatës Botërore të Futbollit dhe të Evropës, Kosova nuk kishte se si të shmangej nga përplasja me Shqipërinë.
Me dëshirën, apo jo të Evropës, apo botës, tashmë nuk jemi një kombëtare, por dy, ndonëse brohorasim për të njëjtin flamur. Ndërkohë Kosova është debutuese në këtë tur paraeliminator, ndërsa janë katër grupe, atje ku fitueset do të shkojnë për në turin e dytë, së bashku dhe me të dytën më të mirë, e cila ka një rezultat të mirë me skuadrën që është renditur në vendin e parë dhe në të tretin në grup. Më 25 prill 2017 do të hidhet shorti, ndërsa ndeshjet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje në periudhën shtator 2017-shtator 2018. Shqipëria e ka për herë të dytë pjesëmarrjen në këtë tur, ndërsa më 2013-ën qe kualifikuar për më tej në të njëjtin grup që u luajt në Maltë.
eliminator