Gjergj Vyshka 20.01.2017 12:05
Ish-kampioni i Botës dhe ish-rekordmeni olimpik në stilin e forcës është përcjellë mes nderimeve për në banesën e fundit. Akuza e Gjozës: ““Nderi i Kombit” për të ka mbetur në presidencë”. Tre vjet më parë, teksa festohej në mjediset e Hotel “Tirana-International” në kryeqytet 70-vjetori i legjendës Ymer Pampuri, është kërkuar me forcë nga të gjithë hartimi dhe dhënia e titullit “Nderi i kombit” nga presidenca.
E sot tre vjet më pas, teksa Ymer Pampuri po përcillej për në banesën e fundit titulli “Nderi i kombit” nuk është dhënë për të. Dhe Gjoza, si president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por dhe si iniciatori i organizimit të festimeve të 70-vjetorit të lindjes, apo dhe të homazheve të djeshme, i pyetur nga “Sport Ekspres” për këtë fakt e ka një akuzë të drejtëpërdrejtë: “Ka mbetur në presidencë!”
E në fakt i duhej të ishte dhënë, ashtu sikurse dhe një pension shtesë, sepse Ymer Pampuri është legjendë dhe legjenda do të mbeten përsëri gjallë. E dje kemi qenë të detyruar për t’i dhënë Lamtumirë Ymer Pampurit. Por se përsëri do të mbetet në kujtesën e të gjithëve, ndaj tashmë “Nderi i Kombit” nuk duhet të vonojë më për të, të paktën “post-mortum”.
Në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes për ndarjen nga jeta të legjendës së peshëngritjes shqiptare, Ymer Pampuri, kanë ardhur dhe ngushëllime nga ndërkombëtare. Kështu presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, i ka shprehur ngushëllimet të gjithë familjes së peshëngritjes shqiptare për këtë legjendë si Ymer Pampuri.