Gjergj Vyshka 20.01.2017 08:45
Lamtumirë Ymer Pampuri, ndërsa, që nga dita e mërkurë, Shqipëria dhe peshëngritja e saj në veçanti, por dhe sporti kombëtar në tërësi, do të ketë të gjallë një legjendë më pak. Ish-kampioni i botës dhe ish-rekordmeni olimpik në stilin e forcës me 127.5 kg në Lojërat Olimpike “Mynih 1972” është përcjellë mes shumë nderimesh për në banesën e fundit.
Komuniteti i peshëngritjes, që nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, Sekretari i Përgjithshëm Agron Haxhihyseni, anëtarë të kryesisë, sportistë e trajnerë, por dhe ish-bashkohës të tij kanë qenë aty. Por jo vetëm kaq, sepse Ymer Pampuri ishte i të gjithëve. Ka bërë bashkë dhe gazetarët sportiv, ndërsa spikaste prania e presidentit të shoqatës së gazetarëve sportiv Besnik Dizdari.
Nuk kanë munguar titullarë të federatave të tjera sportive që nga Martin Biba e Ndriçim Spahiu të mundjes, Koço Mikerezi i qitjes, Ilirjan Çule i alpinizmit, Majlinda Pilinci e shahut. E më tej akoma për këtë figurë shumëplanëshe në homazhe edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si dhe titullarë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me në krye zëvendësministrin Rauf Dimraj.
Ymer Pampuri është nderuar dhe nga klubi shumësportësh Tirana, por dhe pse ka kontribuar për një kohë të gjatë në cirkun e kryeqytetit nuk është nderuar nga Ministria e Kulturës, apo dhe Bashkia e kryeqytetit. E megjithatë sporti shqiptar është bërë bashkë në homazhet e Ymer Pampurit, ndonëse debatet nuk janë lënë mënjanë