AlbanianSport.com 19.01.2017 18:45
ASNN – Ish-peshëngritësi Ymer Pampuri është nderuar për herë të fundit nga njerëz të sportit dhe të njohur në homazhet që u mbajtën pranë klubit Dinamo para se ai të përcillej për në banesën e fundit. Përfaqësues të të gjithë federatave sportive në Shqipëri kanë vendosur kurora me lule pranë arkivolit me trupin e të vetmit rekordmen olimpik në Shqipëri.
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të 1972-shit, të zhvilluara në Mynih, Pampuri theu rekord olimpik në peshëngritje në stilin e forcës. Rekordi i tij do të mbetet i pathyer pasi kjo disiplinë është hequr nga peshëngritja. Por nuk qe e thënë që gjithçka të shkonte siç i ka hije, pasi sporti që ai e ngriti në piedestal, peshëngritja, po kalon një periudhë të tensionuar, sidomos ditët e fundit, teksa krisje të mëdha kanë dalë në pah.
Në komunitetin e peshëngritjes gjendja është në një pikë kritike, pasi Federata ka një debat të hapur me sportistët dhe kryesisht Erkand Qerimaj. Të pranishëm në ceremoninë mortore, nuk kanë munguar akuzat e sportistëve ndaj presidentit të Federatës Elez Gjoza. “Unë kam paqe më sportistët”, – ka thënë ky i fundit, i gjendur përballë disa prej shtangistëve më të spikatur.
“Unë debatoj me ta, por në fund jam gjithmonë në krahun e tyre, – ka vijuar Gjoza, duke folur jashtë mjediseve ku po bëheshin homazhet për Pampurin. – Edhe kur debatoj të nesërmen i kam harruar të gjitha ato që kam thënë.” Por, Erkand Qerimaj, i pranishëm gjithashtu aty, ka reaguar, duke thënë: “Sportistët që ngrenë flamurin nuk duhen sulmuar.” “Absolutisht jo”, – ka thënë Gjoza.
Por Qerimaj nuk është ndalur, duke përfituar nga prania e mediave për të hedhur akuza. “As abuzime me njerëz të pashkollë që ke vënë trajnerë të kombëtares; as të marrësh lekët e sportistëve dhe të bësh veprimtari nëpër botë dhe turizëm; as shumë e shumë shkelje që të gjithë këta sportistë kanë frikë të flasin”, – ka deklaruar peshëngritësi shkodran.
Ndërsa një tjetër peshëngritës i pranishëm aty, Daniel Godelli, tha: “Unë ja them në sy. Nuk ka këtu për të folur me mediat. Ja kam thënë të gjitha.” Por Erkand Qerimaj nuk është ndalur, duke iu drejtuar Gjozës: “Ja këtë sportistin e kanë përjashtuar për një SMS”, – ka thënë, duke iu referuar Sopot Sulës. Por biseda ka vazhduar dhe AlbanianSport.com do t’jua sjellë të plotë këtë debat të peshëngritjes.