Nga Erkand Qerimaj 19.01.2017 12:05
“Elez Gjoza fakti se je President i FSHP-së nuk të jep të drejtë të gënjesh pa fund. Ti thua që ka kushte të mira stërvitje, por në fakt kushtet janë skandaloze dhe ato i pa e gjithë Shqipëria. Megjithatë janë disa gjëra, të cilat me fakte dhe dëshmi do t’ia bëj të ditura publikut dhe pres të përgënjeshtrosh të gjitha hipotezat fantazmë që ke parashtruar! Ti më numëron të ardhurat që marr unë me mund e me djersë në intervista duke harruar se jam sportisti shqiptarë që kam ngritur flamurin kuqezi në botë më shumë se kushdo tjetër e kam krenuar vendin tim!
Megjithatë nuk jam shpërblyer aq sa duhet duke pasur mbi shpatulla një kredi, të cilën do më duhet ta paguaj për 25 vite për shtëpinë time! Epo si qytetar i lirë i këtij vendi dhe sportist më lind e drejta të pyes, duke marrë parasysh se jeni edhe person publik, për luksin në të cilin ti jeton! Si i keni fituar të ardhurat zotëri? Duke kursyer rrogat i keni mundësuar vetes vilat luksoze e pronat që posedon, makinat luksoze etj., etj. Luksoze?? Ti diskuton ku stërvitem, ndërkohë që është e drejta ime të stërvitem ku të dua, në Tiranë, apo në Shkodër, pa harruar se Federata nuk ka krijuar kushtet për grumbullim e nuk ka vend për t’u stërvitur.
Ndaj ia krijova vetë mjedisin vetes, sepse për ju tashmë e kisha lënë sportin! Ju gënjeni duke thënë se FSHP ka kontribut për palestrën që bëra në shtëpi, ndërkohë që unë e kam mundësuar atë nëpërmjet miqve të mi dhe pa asnjë ndihmë nga Federata. Ju gënjeni se jam i punësuar kur që nga maji i 2016, me fakte dhe dokumente, unë jam i papunë e 20 vite sport pa siguracion! Gënjeni për sa i përket raporteve mjekësore, sepse vetëm kur kam qenë i dëmtuar kam sjellë raport dhe këtë e vërteton doktori e jo ju.
Trajnerin unë e meritoj me të gjitha medaljet e kupat që kam fituar e të jetë Zef Kovaçi në garë është minimumi që mund të kërkoj, pavarësisht se as pagë nuk i jepni. Profesori im bënë punë vullnetare! E mira është që ju të mos shkelni Ligjin e statutin me trajnerët kombëtarë pa shkollë të lartë! Sepse nëse do ju vijë Këshilli i Lartë i Drejtësisë e Prokuroria e ju gjen me shkelje ligjore nuk do të ishte mirë për ju! Shpejt e paske harruar se unë kam marrë pjesë në Kupën e Shqipërisë më 2016-ën duke u shpallur sportisti më i mirë me 157 kg në shkëputje dhe 195 kg në shtytje.
Ishe vetë dëshmitar, por meqë nuk paske kujtesë për fatin e mirë kemi fakte përfshirë foto, video, Kupën dhe Medaljet! Isha pretendent për kampion Evrope, por u dëmtova. Për gjithçka që flas kam fakte, ndryshe nga ju që i keni vetëm gënjeshtra! Shumica e sportistëve dhe trajnerëve punëtore e të ndershëm, me rezultate, e gjejnë veten në pakënaqësi që ju i keni rezervuar peshëngritjes si sport, të cilin po e shkatërroni çdo ditë e më shumë duke sulmuar sportistët me pa të drejtë.
E nuk duhet anashkaluar fakti që fondi i Federatës mundësohet për sportistët e trajnerëve, që punojnë çdo ditë, dhe nuk është i juaji personal! Ju keni detyrë si president të mos i përdorni lekët që vijnë për trajtimin ushqimor për sportistët e t’i shfrytëzoni për të shëtitur botën”.