Gjergj Vyshka 19.01.2017 10:25
“Largimi nga jeta i Ymer Pampurit është një humbje e madhe për të gjithë peshëngritjen shqiptare, – ka thënë presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, duke folur pasi ka mësuar lajmin e trishtuar. – Është një histori mbi të cilën kemi ecur të gjithë. Një legjendë që do të vijojë të mbetet i gjallë midis nesh, ndërsa do ta kujtojmë ashtu siç kemi bërë dhe me Mirjan Hakanin.”
“Sapo kam marrë vesh lajmin e largimit nga jeta të këtij mjeshtri, jam kthyer urgjent nga Greqia, ndërsa isha atje për krijimin e një konfederate Ballkanike, – ka vijuar ai. – Është një humbje e madhe dhe sot vërtetë ndihem keq. Federata Shqiptare e Peshëngritjes do t’i bëjë të gjitha nderimet ashtu sikurse i takon Ymer Pampurit.” Por mbetet një vërejtje më vete për të gjitha institucionet sportive, që nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes e Ministria e Arsimit dhe Sportit që dje për largimin nga jeta të Ymer Pampurin nuk kanë bërë qoftë dhe një lajmërim të thjeshtë.
Gjithçka është marrë vesh nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, sepse Ymer Pampuri ishte miku i të gjithë shqiptarëve. Të vetmit që janë kujtuar ishin ato të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. AlbanianSport.com i shpreh ngushëllimet e saj familjes Pampuri për këtë humbje të kësaj legjende të peshëngritjes. Homazhet për të do të mbahen sot nga ora 12:00-13:00 në ish-kompleksin Dinamo e më pas do të përcillet me nderime për në banesën e fundit.