Është prezantuar në fazën e parë me një skuadër “puro” shkodrane Vllaznia në basketboll për meshkuj, e cila ka marrë vlerësime dhe konsiderata jo të pakta nga specialistët e basketbollit shqiptar. Por me një Vllazni puro shkodrane përballë një Tirane të superforcuar, duket se ka qenë e vështirë. Dhe në këtë mënyrë, presidenti i shoqatës së basketbollit Vllaznia, Sokol Dibra, ka ndërhyrë në merkato.
Njëri pas tjetrit kanë ardhur tre basketbollist amerikan, të cilët janë zyrtarizuar nga inspektori i lojërave me dorë të klubit kuqeblu, Astrit Zaganjori. Dhe dy prej tyre janë prezantuar dje. Seth Xhekson ishte i pari që vinte nga kontinenti tjetër në ditët e para të janarit, kurse dy të tjerët më vonë. Dhe të prezantuar nga inspektori i lojërave me dorë në klubit kuqeblu, Astrit Zaganjori, ishin Derrëll Palmer dhe Xhoshua Frilav.
Me ardhjen e trios amerikane skuadra kuqeblu e Vllaznisë, e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj dhe kolegu i tij Fatjon Halluni, përforcohet në mënyrë të ndjeshme. E tashmë pas ardhjes së Hamatit nga Kamza Basket, pritet edhe Algert Gjonaj, që në fazën e parë të kampionatit ka luajtur me Ardhmëria Basket, por sezonin e kaluar ka dalë “kampion” me Vllazninë. E në këto kushte Vllaznia bëhet kandidate potenciale për titull “kampion”.