AlbanianSport.com 11.11.2014 10:40
ASNN – Pas fitores në fushën e vështirë të Kavajës, e cila e ka mbajtur Besëlidhjen në vendin e parë të Grupit të Veriut, skuadra e trajnerit Sinan Bardhit ka bërë analizën e atij takimi, ndërsa ka vendosur që ndaj Kamzës të mos zbresë në fushën e lojës me euforinë e kryesimit.
Ndaj lezhjanët nuk kanë mbetur më shumë se sa një ditë pushim dhe dje kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e javës së 7-të me Kamzën, të cilën do ta luajnë në Lezhë. Sigurisht që kur fiton skuadra jo vetëm që ndihet më e qetë, por dhe ka kënaqësinë e të shijuarit të vendit të parë dhe të të punuarit qetësisht.
Duke parë se rivalitet në grupin A është i madh, aq më shumë që Besëlidhja është në të njëjtën kuotë pikësh me Mamurrasin, secila skuadër nga 16 pikë, kurse nga pas është Tërbuni me 14 pikë, atëherë ndeshja me Kamzën është vlerësuar maksimalisht nga lezhjanët.
Madje drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët janë të kënaqur me ecurinë e skuadrës deri më tani, kanë thënë se skuadra duhet të zhvishet nga euforia dhe ta marrë ndeshjen me Kamzën, ashtu sikurse të gjitha takimet që ka luajtur deri më tani.