Gjergj Vyshka 18.01.2017 11:20
Gerti Shima ka pranuar se kjo humbje ndaj Karposh Sokolit ishte dështim për të gjithë. “Jemi të gjithë fajtorë që nga ne lojtarët, trajneri, ndihmëstrajnerët, – ka thënë ai, pa i përtypur aspak fjalët. – Pra e gjithë skuadra. Nuk duhet kërkuar faji tek klubi, apo bordi i tij, sepse na i kanë plotësuar të gjitha kushtet. Jemi skuadra që kemi pasur dhe të huaj në gjirin tonë, por nuk kemi qenë të zot që të bëjmë më të mirë në tre ndeshjet që kishim në shtëpinë tonë.”
“Për mua Karposh Sokoli është skuadra më e mirë e Ligës Ballkanike dhe nëse do ta vazhdojë dhe më tej, ky është dhe basti im, ata do të jenë fitues të këtij trofeu, – ka vijuar shtatlarti me përvojë. – Mos harroni që ishin pa dy lojtarët kryesor të pesëshes e gjithsesi ia kanë arritur qëllimit. Tashmë kemi një ndeshje në Pejë për ta bërë një mbyllje si duhet të kësaj Lige e më pas të mendojmë për kampionatin”. Shima nuk pranon që tifozët mund ta kenë vënë nën presion skuadrën.
“Nuk e them dot këtë, sepse të gjithë janë profesionist dhe janë mësuar me të tilla nivele. Për mua nuk është përvojë pozitive, sepse është dështim, ndërsa skuadrës në përgjithësi, kur për katër muaj emri i Tiranës u lakua për mirë, i vlen për të qenë ndryshe. Duhet të kapim dhe anën e mirë të kësaj paraqitjeje, por i kishim të gjitha shanset për të bërë më të mirën”, – ka përfunduar basketbollisti i Tiranës dhe Kombëtares, Gerti Shima.