AlbanianSport.com 17.01.2017 22:50
ASNN – Ishte shpresuar në një fitore dhe, bashkë me të, edhe një një kualifikim historik, por që, sidoqoftë, nuk u materializua. Kjo sepse Tirana u eliminua nga Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj që në fazën e parë të saj, atë të grupeve. Humbja me shifrat 83-100 në shtëpi me maqedonasit e Karposh Sokoli nuk u jep më shpresë bardhebluve debutues për turin tjetër edhe pse duhet të luajnë përballjen e fundit javën e ardhshme në fushën e Pejës.
Kishin kërkuar mbështetje dhe e patën atë. Në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” u krijuar një atmosferë e jashtëzakonshme nga përkrahësit e bardhebluve, që nuk lanë vend bosh në shkallët e këtij mjedisi sportiv. Basketbollistët e Tiranës e nisën mirë sfidën, por ,pas pushimit gabuan shumë, duke u dhënë mundësi kundërshtarëve të thellonin epërsinë në dy pjesët e fundit. Madje as 19 pikët e amerikanit Grifin Ramé nuk shërbyen dje Tirana deri më tani numëron 3 fitore dhe 6 humbje në këto 9 ndeshje.
Kështu pra, humbja në ndeshjen e vlefshme për javën e 9-të të Ligës Ballkanike ka vulosur edhe eliminimin e bardhebluve nga kjo veprimtari rajonale. Takimi i luajtur në “Fahrie Hoti” ka qenë i barazpeshuar në pjesën e parë, me të dyja ekipet që rivalizuan fort mes tyre. Fitorja e miqve nga Maqedonia u vulos në pjesën e tretë, ku u shkëputën dhe arritën një fitore të merituar, që i kualifikon më tej. Për Tiranën, kjo ishte humbja e 6-të në këtë turne, ku ka vetëm 3 fitore, të gjitha ndaj ekipeve të Kosovës.
Por, përvoja e fituar në këtë turne, ishte e mirë dhe padyshim që do t’u vlejë bardhebluve. Në fakt, ndeshja ka qenë e bukur dhe me ritëm, me shumë pikë të realizuara, me bardheblutë që kanë epërsi në pjesën e parë, 20-18, dhe udhëheqin deri në pikën e 28-të. Pas barazimit 28-28, janë miqtë ata që marrin në dorë frenat e lojës, shkëputen dhe e fitojnë pjesën e dytë, por, në përfundim të gjysmë së parë, gjithçka është mbërthyer në 48-44.
Megjithatë, dyshja Zekoviç-Sepa bën diferencën në fushë për Karposh Sokolin, duke realizuar së bashku 47 pikë dhe udhëhequr skuadrën drejt fitores. Tirana gabon shumë dhe humbet terren. Me gjithë përpjekjet e bardhebluve në pjesën e katërt, skuadra mike administron mirë epërsinë e krijuar dhe e fiton gjithë takimin 100-83. Pas një jave, Tirana do të luajë ndaj Pejës ndeshjen e fundit në këtë turne, duke e mbyllur më pas pjesëmarrjen e saj debutuese në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.