AlbanianSport.com 17.01.2017 22:05
ASNN – Tanimë nuk ka më asnjëlloj ndjenje midis dy palëve dhe, sikundër në çdo divorc, fjalën e ka gjyqi. Gjergji Muzaka dhe Tirana e kanë dërguar zyrtarisht çështjen për gjykim në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjeve të Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Lajmi konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit me njoftimin në faqen e saj zyrtare në Internet, ku bën të ditur se ka dështuar zgjidhja e çështjes në seancën e dytë të pajtimit.
Ka qenë një kërkesë e futbollistit për të zgjidhur gjithçka, por duket se tashmë, me mosarritjen e akordit zgjidhja e kontratës së Gjergji Muzakës me klubin Tirana do të përfundojë në gjykim.
Në ditët e para të këtij viti u bë zyrtare prishja e marrëveshjes midis mesfushorit 32-vjeçar dhe klubit bardheblu, me futbollistin që pretendon se nuk është paguar në bazë të kontratës së nënshkruar midis palëve.
Pavarësisht se futbollisti nisi vitin nën urdhërat e trajnerit Mirel Josa, aventura e dytë me fanellën bardheblu përfundoi me gjyq, pasi zgjidhja e kësaj cështje do të vijë tashmë nga institucioni përkatës.
Gjergji Muzaka së bashku me Erjon Vucaj dhe Ansi Nikën ishin largimet e janarit nga 24 herë kampionët.