AlbanianSport.com 17.01.2017 19:50
ASNN – Vllaznia në basketboll për meshkuj është amerikanizuar, sepse tashmë ka bërë 3 afrimi në merkaton e dimrit. Pas Derrill Palmerit dhe Seth Xheksonit, ka mbërritur Xhoshua Frilav, i cili ka luajtur në Marok me skuadrën e IRT Tarzher, ku ka pasur një mesatare 21.3 pikë për ndeshje. Të 3 janë prezantuar tanimë me fanellën e kuqebluve të koshit, duke dhënë edhe përshtypjet e para.
Xhoshua Frilav ka qenë më përpara në një skuadër në Evropë, ndërsa thotë se arsyeja që ka zgjedhur Vllazninë është për të fituar trofeun. “E kam provuar të luaj në Evropë sepse kam qenë me disa ekipe të ndryshme dhe them se ia kam dalë, – ka thënë ai, gjatë prezantimit të tij në Shkodër. – Skuadra, por edhe unë jemi ndarë të kënaqur. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë te Vllaznia.”
“Më kanë thënë se shkodranët e ndiejnë shumë sportin, jetojnë me të çdo ditë, – ka vijuar ai. – Më kanë treguar se tifozët këtu janë të mrekullueshëm dhe se e mbështesin shumë skuadrën e tyre. Më vjen mirë që jam këtu. Patjetër që një arsye e fortë se, përse kam zgjedhur Vllazninë, është për të fituar titullin “kampion”, ashtu siç ka ndodhur tri vitet e fundit me këtë ekip”.