AlbanianSport.com 17.01.2017 19:05
ASNN – Driton Kuka ishte një xhudist premtues në kohën e ish-Jugosllavisë. Në Kampionatin Evropian të Të Rinjve, të vitit 1989, që u mbajt në Athinë, trajneri i sotëm i xhudos, ishte renditur në vendin e pestë, duke e mposhtur gjatë rrugës izraelitin Shei-Oren Smadzha. Ky i fundit do të fitonte më vonë medaljen e bronztë në Olimpiadën e Barcelonës në vitin 1992, shkruan faqja e njohur dhe e specializuar në këtë sport, “judocrazy.com”.
Në vitin 1991 Kuka mori pjesë në të parin dhe të fundit eveniment të të rriturve, në Botërorin e Hungarisë, ku e kishte fituar medaljen e bronztë në Budapest, në kategorinë e peshës trupore deri në 71 kilogramë. E ardhmja e tij dukej premtuese, por lufta i shkatërroi ambiciet e tij të xhudos. Sikundër pjesa dërrmuese e sportistëve, ai vendosi të tërhiqej para kohe, para se të garonte nën ombrellën e sportit serb.
Kjo, edhe pse kishte oferta për ta përfaqësuar Jugosllavinë në evenimente të ndryshme dhe ka mundur ta bënte këtë ndoshta edhe në ndonjërën prej olimpiadave. “Fatkeqësisht, ky ishte evenimenti i parë dhe i fundit për të rritur, sepse, pas tij, për shkak të luftës, të gjithë shqiptarët e Kosovës refuzuan të garonin për Jugosllavinë”, ka thënë Kuka për këtë faqe Interneti, e cila ia ka kushtuar një shkrim special trajnerit.
Kështu, si 19-vjeçar, karriera e Kukës mori fund në atë kohë. Ai nuk e humbi kurrë dashurinë për këtë sport. “Nuk mund ta imagjinoj jetën pa xhudo”, – ka shtuar ai.