AlbanianSport.com 17.01.2017 15:20
ASNN – Në fakt, përtej emrit të madh, gjendja në të cilën ndodhet Hamburgu nuk është se jep shumë garanci. Prandaj, për njohës të futbollit në Gjermani është ende i pakuptueshëm vendimi i mbrojtësit të kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj.
Ky i fundit la gjatë merkatos dimërore Këlnin, i cili synon pjesëmarrjen në veprimtaritë evropiane sezonin e ardhshëm, për t’u transferuar tek Hamburgu, që është përfshirë në garë për mbijetesë.
Por, Mavraj e ka mbrojtur vendimin e tij duke thënë se nuk ka asgjë për t’u çuditur. Ai thotë se ka vendosur për të ardhmen e tij dhe familjes. “Kontrata ime me Këlnin do të përfundojë gjatë verës”, – ka thënë Mavraj të hënën në një intervistë për “Kicker”.
“Unë kam një familje të madhe dhe më është dashur një siguri dhe kur i mendon të gjitha këto, nuk është e çuditshme, – ka vijuar ai për revistën e njohur gjermane. – Tani unë jam në një ekip shumë të sigurtë.”
30-vjeçari Mavraj u transferua javë më parë nga skuadra e Këlnit tek Hamburgu, me të cilin ka nënshkruar një kontratë deri në verën e vitit 2019. Më herët, ai ka bërë karrierë në disa skuadra më pak të njohura gjermane, si Bokumi dhe GrojtherFyrthi.