AlbanianSport.com 17.01.2017 14:35
ASNN – Mesa duket, Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj (BIBL) nga edicioni i ardhshëm do të mbetet pa njërën prej skuadrave më të suksesshme. Sipas medisave të Kosovës, kampionia e dy edicioneve të fundit, SIGAL Prishtina, nuk do të luajë më në ligën ku këtë edicion marrin pjesë ekipe nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi e Bullgaria.
Këtë e kanë bërë të ditur ditët e fundit për mediat e Prishtinës, burime të gazetës brenda klubit të kaltër. SIGAL Prishtina me shumë gjasa nuk do t’ia dalë të kalojë grupin në Ligën Ballkanike, por, edhe nëse e kalon në fazën e dytë, dhe, në fund, ia del të mbrojë titullin, prapë pritet t’i japë lamtumirën Ligës Ballkanike, ndaj së cilës klubet e Kosovës vazhdimisht kanë pasur ankesa.
“Si klub e kemi fituar titullin në dy vitet e fundit dhe BIBL-i nuk na ka shpërblyer me asnjë cent, – ka theksuar një zyrtar i SIGAL Prishtinës në kushte anonimiteti. – Kështu që, me këtë edicion, i vjen fundi paraqitjes në Ligën Ballkanike. Pritet që klubi të vazhdojë konkurrimin në Kampionatin e Kosovës dhe në veprimtaritë evropiane, të tilla si “FIBA Europe Cup” apo Liga e Kampioneve.”
“Synimi për edicionin tjetër është të kalohet grupi në veprimtaritë evropiane, gjë që nuk e kemi arritur në dy edicionet e para”, – ka përfunduar zyrtari në fjalë. Në 9 ndeshje që kanë zhvilluar deri më tani, SIGAL Prishtina kanë korrur 3 fitore dhe kanë pësuar 6 humbje. Për t’u kualifikuar, fillimisht duhet që Kozhuvi të fitojë ndaj Kumanovës të enjten dhe, më pas, edhe Bashkimi të mposhtë Teodonë javën e ardhshme.