Gjergj Vyshka 17.01.2017 11:35
Maqedonasit e Karposh Sokolit, të cilët janë pjesëmarrës dhe Ligën e Adriatikut, ndërsa të dielën kanë luajtur përballë kroatëve të Cibonës së Zagrebit, kanë mbërritur të hënën në mbrëmje në ora 21:00 në Tiranë. Vetëm sot në mëngjes do të bëjnë një stërvitje në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.
Dhe pyetjes së “Sport Ekspres” se sa ka ndryshuar Karposh Sokoli që nga ndeshja që është luajtur në tetor ndaj Tiranës, të cilën maqedonasit e kanë fituar 78-74, menaxheri i përgjithshëm i bardhebluve, Anxhelo Koleka, do t’i përgjigjej: “Të them të drejtën nuk kam asnjë informacion të them se si dhe se sa ka ndryshuar Karpos Sokoli”.
“Por do ta shohim në stërvitje dhe në ndeshje e më pas do të marrim masat tona, – ka vijuar ai. – Skuadra ia ka bërë hyzmetin dhe është plotësisht gati për ta nxjerrë me sukses këtë takim”. E Tirana është në sulmin e saj të fundit për të shpresuar kalimin në raundin e dytë të Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj.
Kërkohet fitorja me Karpos Sokolin, edhe me shumë tifozë, por kurrsesi të mos kthehet gjithçka në bumerang për skuadrën, apo për t’ia lënë ndeshjes së 25 janarit në vizitën e Pejës. “O sot, o kurrë!”, kjo duhet të jetë diviza e bardhebluve kundrejt të gjitha rregullave korrekte të basketbollit për të fituar me Karpos Sokolin.
Sepse një kalim në turin e dytë të Ligës Ballkanike, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë basketbollin shqiptar është sukses i madh…