AlbanianSport.com 16.01.2017 23:35
ASNN – Duket se ky është rasti klasik të cilit i shkon për shtat shprehja që “nuk je në gjendje ta vlerësosh atë që ke, deri kur e humbet atë”. Është shpallur dy ditë më parë “doreza më e mirë” e saj për 2016-ën, por, pasi Kosova nuk i ofroi kushte, Armend Xhoxhaj e kishte deklaruar para pak ditësh vendimin e tij për ta lënë përfaqësimin e vendlindjes dhe për ta vazhduar karrierën në Gjermani.
Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, boksieri më i mirë i Kosovës në vitet e fundit kishte thënë se karriera e tij nuk ka gjetur mbështetje as nga Komuna e Prizrenit, as nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe, madje, as nga Federata e Boksit e Kosovës. Sidoqoftë, organizmi që qeveris këtë sport, e ka shpallur Xhoxhajn boksierin më të mirë të Kosovës për vitin 2016.
Ndërkohë, çmimi i boksieres më të mirë femër i ka takuar Donjeta Sadikut, kurse, trajneri i saj, Besim Brahimi, është shpallur trajneri më i mirë i vitit që lamë pas. Ndër çmimet e tjera, gjyqtari më cilësor është vlerësuar Latif Demolli, ndërsa klubi numër 1 në Kosovë për vitin e kaluar është shpallur “Gollaku”. Ndërsa, Sylejman Voca është nderuar me mirënjohjen e “punëtorit sportiv”.