Gjergj Vyshka 16.01.2017 17:35
Shqipëria do të jetë organizatore e Kampionatit Botëror të Aeronautikës, që në maj të këtij viti do të zhvillohet në Vlorë. Të paktën sipas sekretarit të përgjithshëm, Artion Vreto, Shqipëria ka dalë triumfuese për këtë Botëror mes dy kandidaturave të forta siç ishin Gjermani dhe Kina. Dhe nëse ka fituar kandidatura jonë kjo ka ardhur dhe për faktin se 17 turnetë e hapura që zhvillohen në Llogara kanë qenë një reklamë shumë e mirë për aeronautikën shqiptare.
Ajo që duhet theksuar është fakti se në maj në Vlorë do të vijnë sportistë nga mbi 100 shtete të botës për të konkurruar. Ky aktivitet do t’i shërbejë Shqipërisë jo vetëm nga ana sportive, por edhe për promovimin turistik të vendit. Për organizimin sa më mirë të këtij botërori, Federata Shqiptare e Aeronautikës ka kërkuar dhe ndihmën e shtetit, sepse ky do të jetë një veprimtari gjithëplanëshe dhe shumë përfshirës.
Madje në Shtutgart, atje ku është duke u zhvilluar dhe panairi i agroturizmit, ndërsa një pavion i veçantë është dhe për Shqipërinë, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ka pasqyruar edhe projektin për botërorin e aeronautikës që do të zhvillohet në muajin maj në Shqipëri. Bashkë me të ka qenë dhe drejtori i garave në Federatën Shqiptare të Aeronautikës, Alket Islami.