Se si po stërviten dhe po përgatiten skuadrat e Kategorisë Superiore për pjesën e dytë të sezonit, kjo nuk ka nevojë për koment. Ndërkohë që pjesa më e madhe vazhdon të jetë prej ditësh në Antalja, ku, përpos klimës më të përshtatshme dhe kushteve ideale, kanë luksin të testohen thuajse në çdo ditë me kundërshtar të fortë, për Vllazninë është krejt e kundërta.
Këtë e tregon vetë fakti se, falë kushteve të përkeqësuara të motit në harkon kohor të një jave, vetëm një herë arritën të stërviten në fushë të hapur. Madje dhe atë dalje në fushë e shoqëruar me një ndeshje miqësore brenda familjes, teksa u përballen me të rinjtë e Akademisë së Nën-19-vjeçarëve. E megjithatë kuraja dhe optimizmi, për të bërë më të mirën e mundshme në pjesën e dytë të sezonit futbollistik, vazhdon të ekzistojë në kampin kuqeblu.
“Po çfarë duhet të bëjmë?! – thotë trajneri kuqeblu Armando Cungu. – Këto janë mundësitë tona, jemi munduar të vijmë në shtëpinë tonë që tashmë pothuajse është Ulqini për Vllazninë. Natyrshëm që nuk jemi në kushte të barabarta stërvitjeje, apo edhe e kontingjentit. Megjithatë për mua ka shumë rëndësi që të paktën në këto ditë të mbetura të jemi shumë serioz në punën tonë dhe do të bëjmë maksimumin që të jemi të gatshëm për vazhdimin e pjesës së dytë të sezonit.”