AlbanianSport.com 16.01.2017 14:35
ASNN – Peshëngritësi Sopot Sula e ka cilësuar si hakmarrje të Federatës përjashtimin e tij nga Kampionati Evropian pas opozitës, sipas tij, që u bëri ai forumeve drejtuese të FSHP-së përpara Asamblesë Zgjedhore të zhvilluar në Vlorë. Në reagimin e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, sportisti i Teutës denoncon se në këtë institucion është rikthyer pushteti diktatorial dhe se refuzohet shprehja e lirë.
“Ata më bëjnë shembull mua për t’u treguar të tjerëve që në federatë mbizotëron akoma pushteti diktatorial, ku presidenti dhe sekretari janë të paprekshëm, – ka thënë ai. – Nuk duhet të themi asnjë të vërtetë kundrejt tyre veçse të dalim në gazeta ose televizione dhe t’u servilosemi. Pra, të themi që kjo federatë është më e mira, që ky president është më i miri dhe ky sekretar po ashtu.”
“Sepse, nëse nuk e bëjmë, dënohemi, – ka vijuar shtangisti premtues. – Ata thonë që unë shpif. Por nuk e vërtetojnë dot këtë gjë, sepse e tillë është ajo federatë. Siç e kam thënë edhe në 2015-ën dhe vazhdoj ta them edhe tani, kjo është një federatë “rakie”, ku për fat të keq termi federatë nuk ekziston më, sepse ajo është kthyer në një ndërmarrje private, në një biznes privat.”
“Ngaqë unë dola kundër para zgjedhjeve, ata më sulmuan sepse unë nuk kam të drejtë të shprehem lirshëm se cilin dua dhe cilin nuk dua. Siç e thashë edhe më lart, mbizotëron diktatura e proletariatit”, – përfundon mes indinjatës peshëngritësi Sopot Sula, i cili në mbledhjen e ditëve të fundit të kryesisë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, është përjashtuar nga Evropiani me argumentin për shkelje të etikës.