ASNN – Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu: “Është afruar në dhjetor tek skuadra B, atje ku i është bërë dhe kontrata. Do ta shoh, nëse vlen qëndron, në të kundërt kthehet në skuadrën e dytë. E kjo vlen për të gjithë lojtarët.” Përsa i përket Arsen Hajdarit, ai bën të ditur se ai është nga ana e klubit Vllaznia dhe jo ta ketë kërkuar ai. “Hajdari është ofruar nga klubi përpara vitit të ri, në dhjetor të vitit të kaluar tek skuadra “B” dhe, me sa di unë, përsëri atij i është bërë një kontratë tek kjo skuadër”, – ka sqaruar Cungu, duke folur për mediat.
“Natyrshëm me idenë që do ta shohë mundësinë edhe trajneri i ekipit të parë, – ka vijuar ai. – E kjo, nëse do të vlejë për vazhdimësinë, do të japim miratimin dhe do të jetë i mirëseardhur. Në të kundërt kthehet tek ekipi i “B”-së. Unë si trajner e njoh Hajdarin, është një lojtar që ka kontribuar dhe ka pasur gjendje të mirë duke e ndihmuar Vllazninë para pak sezoneve. Aq më tepër, si shkodran nuk mund t’ia mbyll derën. I kam dhënë mundësinë për ta parë në fushën e lojës, për ta vëzhguar edhe këtu në Ulqin, paçka se mundësitë stërvitore kanë qenë shumë të vogla, shumë të pakta.”
“Dhe nëse do të rezultonte pozitiv patjetër që do të jetë afër skuadrës, – ka vijuar trajneri i kuqebluve. – Nëse nuk do të jetë i tillë, sikurse Hajdari, ashtu edhe lojtarët e tjerë që vijnë në provë, do të kthehen mbrapsht. Sikurse edhe një lojtar, cilido qoftë, edhe i ekipit momental që ka përballuar sezonin, nëse nuk është serioz dhe nëse nuk punon si duhet, është shumë e thjeshtë që mund të shkojë tek “B”-ja dhe nuk ka asgjë në këtë mes. Pra, kjo është e vërteta e Hajdarit dhe mos të merremi që kanë bërë kontrata dhe nuk kanë bërë kontrata.”
“Unë nuk merrem me kontrata, unë jap pëlqimet, po-në ose jo-në, gjithmonë kur t’i shikoj në seancat stërvitore, – ka theksuar trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. – Hajdari është ofruar në ditët e para ose në dy-tre stërvitjet e para me ekipin e parë dhe unë akoma nuk kam asnjë konkluzion, një “po” ose “jo”. E kjo, jo vetëm për Arsen Hajdarin, por për shumë të tjerë këtu nëse do të jenë pjesë e afërt e ekipit apo jo.”