Gjergj Vyshka 16.01.2017 10:05
Enea Isaku është përforcimi i radhës dhe më i ri për Tirana Eagles Basket, skuadër e cila militon në Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit. Isaku, i datëlindjes 22 nëntor 1989, rikthehet në parket pas një viti e gjysmë mungesë, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Partizanit. Ashtu sikurse, së bashku me Armand Byberajn, kanë qenë edhe pjesë e Flamurtarit të trajnerit Vladimir Birçaj.
I rritur në një familje basketbollistësh, teksa i ati Artur Isaku ka luajtur me Labinotin dhe ka qenë pjesë e ekipit kombëtar, kurse e ëma, Mamica Isaku (Mitezi), e ka nisur me Skënderbeun, më pas pjesë e Labinotit dhe Studentit, talenti i tij nuk mund të vihet në dyshim. Dhe po të tillë ka pasur dhe xhaxhain, Alfred Isakun. Për të gjitha vlerat që ka, Tirana Eagles Basket e ka pranuar me shumë dëshirë.
Ndërsa e gjithë kjo kohë, deri në fillimin e kampionatit më 3-4 shkurt 2017, do të jetë e përshtatshme për të për të hyrë në ritmin e ekipit. Aq më shumë që, për efekt kalendari, për Tirana Eagles Basket, kampionati nis më 10-11 shkurt 2017, me ndeshjen ndaj Apolonisë. Për të gjitha objektivat që ka kjo skuadër, Isaku do të jetë një ndihmë e madhe për Tirana Eagles Basket.
Pa harruar këtu edhe kontributin e lojtarëve të tjerë që nga Shehi, Shytaj, Nasi, Kala, Nallbani, Prodani, Musta, Zavalani, Adili, Allaraj, Laperi, Sako, Vogli e Papalekaj, falë të cilëve Tirana Eagles Basket, që shpreson shumë që nëpërmjet “play-off”-it, të jetë në Superligën e basketbollit. Por, në skuadër do të kthehet dhe Endi Branko, i cili ka qenë pjesë e ekipit sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë.