Gjergj Vyshka 15.01.2017 07:55
Altin Telo dhe Erjon Mujo nuk figurojnë më si gjyqtarë ndërkombëtarë të volejbollit shqiptar. Të paktën kështu ka bërë të ditur Telo për “Sport Ekspres”, ndërsa sipas tij tanimë janë ish-“ndërkombëtar”. Që do të thotë se për Shqipërinë tashmë si të tillë figurojnë Konalsi Gjoka, Igli Fështi, Arjan Shehu, Endri Zguri dhe Rudina Omari.
Madje një gjë e tillë është bërë e ditur dhe nga Mujo, i cili ka kërkuar të sqarohet me të gjitha mënyrat me presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, sepse janë hequr nga kjo listë brenda natës. Por çfarë ka ndodhur? Burime pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit pretendojnë se nuk janë ata që kanë hequr këta dy gjyqtarë nga lista e ndërkombëtarëve.
E megjithatë tashmë Telo e Mujo figurojnë si ish-ndërkombëtar, ndërsa në fakt nuk duhet të ishte kjo mbyllja e karrierës së tyre si gjyqtarë. Të paktën për të gjithë atë kontribut që ata kanë dhënë si gjithë gjyqtarët e tjerë në mbarëvajtjen e veprimtarinë e rrjetës shqiptare.