Gjergj Vyshka 14.01.2017 10:25
Volejbolli shqiptar numëron 6 gjyqtarë ndërkombëtarë, të cilët janë Konalsi Gjoka, Igli Fështi, Endri Zguri, Rudina Omari, Altin Telo dhe Erjon Mujo. E ndërkohë të gjithë janë të aktivizuar në veprimtaritë ndërkombëtare.
Kështu ka ndodhur me Endri Zgurin, i cili të enjten në mbrëmje ka qenë gjyqtar i dytë në ndeshjen Dofën Sharlërua-Haris Tenerife 2-3, e vlefshme për “Challenge Cup” për femra. Në këtë ndeshje i parë ishte turku Sadetin Deneri.
Në të njëjtën veprimtari, përsëri i dytë, ka qenë të mërkurën në Salzburg të Austrisë, Erjon Mujo. Ai ka qenë në ndeshjen Salzburg-Marina Kastela 0-3, ndërsa në këtë ndeshje i parë ishte portugezi Nuno Tekseira.
Ndërkohë, më 11 janar 2017, tashmë për Kupën CEV meshkuj, Igli Fështi ka qenë gjyqtar i dytë në ndeshjen CSKA Sofje-Volej Amrisvil 3-1, ndërsa e parë ishte boshnjakja Ivana Gustin Bartula.
Pra gjyqtarët shqiptar, paçka se, për një arsye që ngjan absurde parë në këtë këndvështrim, Telo e Mujo nuk aktivizohen në veprimtaritë kombëtare, janë në qendër të vëmendjes së Evropës.