Gjergj Vyshka 13.01.2017 17:55
Volejbolli shqiptar ka humbur një tjetër figurë të tij dje në mbrëmje. Bëhet fjalë për Robert Borovën, ish-lojtarin e Partizanit deri në vitet 80-të. Volejbollist që ka qenë bashkëkohës me Dashamir Fagun, Ylli Tomorin, Lulushin, Duravakun dhe Melkën.
Edhe me përforcime si Domi e Rusi, Partizani i trajnerit Andon Kona, duke pasur brenda dhe Robert Borovën, do të bënte epokë më 1973-1974 teksa do të eliminonte italianët e Ruinit; 3-1 për Partizanin në Tiranë, 2-3 për italianët.
E Partizani do të merrte dhe tituj kampion, ndërsa kontributi i Borovës do të ishte më pas dhe si trajner i të kuqve, apo dhe i Teutës e Erzenit. Madje me shijakasit do të shpallej dhe “kampion”.
Një humbje e madhe për volejbollin shqiptar, që kështu vijon t’i humbasë një e nga një figurat e veta. Redaksia e gazetës “Sport Ekspres” i shpreh ngushëllimet familjes Borova për këtë humbje, ngushëllime të cilave u bashkohet edhe AlbanianSport.com