AlbanianSport.com 12.01.2017 21:20
ASNN – Gjashtë skuadra të Kategorisë Superiore po vazhdojnë përgatitjet në Turqi, ku po zhvillojnë edhe takime miqësore. Kështu, Kukësi ka humbur edhe në miqësoren e dytë të zhvilluar në Antalja.
Pas humbjes 1-3 të pësuar me Istanbul Bashakshehirin, verilindorët e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka u mundën minimalisht të enjten nga skuadra kazake e Kairatit të Almatisë.
Goli që vulosi fatin e kësaj ndeshjeje miqësor erdhi 5 minuta pas pushimit, pra, në minutën e 50-të, me autor Gerard Gohunë, i cili mposhti portierin Koliçi me një goditje me kokë, pas një harkimi nga krahu i majtë.
Në fakt, në minutën e 8-të të ndeshjes, Kukësi kishte një mundësi të mirë shënimi, por Pejiç shpërdoroi një 11-metërsh të fituar nga Dvornekoviç, duke goditur shtyllën në tentativën e tij nga pika e bardhë.