Gjergj Vyshka 12.01.2017 20:35
Liga e Kampioneve në Basketboll për Meshkuj ka dhënë një tjetër ndeshje për ndërkombëtarin Gentian Cici, i cili ka arritur në numrin 11 të takimeve të gjykuar në këtë veprimtari.
Pikërisht në Selanik, atje ku të martën kishte gjykuar PAOK-un, ai ka qenë gjyqtar i 3-të në ndeshjen e grupit A, midis skuadrës tjetër vendase, Arisit dhe CEZ Nimburkut, të fituar nga grekët 83-79 (19-22, 26-22, 17-19, 21-16).
Ashtu sikundër edhe në takimin e një ditë më parë PAOK-ut të Selanikut me lituanezët e Neptunas Klaipedia, edhe në këtë ndeshje gjyqtar i parë ishte kroati Srdan Dozai dhe i dytë spanjolli Luis Miguel Kastilo Laroka.
Kësisoj me 11 ndeshje në Ligën e Kampioneve, 4 në “FIBA Europe Cup” për meshkuj dhe një në Ligën e Evropës për femra, Cici ka mbërritur në numrin 16 të ndeshjeve në arenën ndërkombëtare në sezonin 2016-2017.