AlbanianSport.com 12.01.2017 15:20
ASNN – Agjenti i lojtarit të krahut të Mançester Junajtid, Adnan Januzaj, ka këmbëngulur se klienti i tij është i lumtur me huazimin te Sandërlendi, përkundër interesimit që ka shprehur Lioni për të. Mediat franceze dje kanë raportuar se Lioni ka shprehur interesim për mesfushorin shqiptar, i cili nuk ka klauzolë largimi nga “Macet e Zeza”.
Përfaqësuesi i Januzajt, Dirk Devrise, ka pranuar se ka shumë klube franceze që kanë shprehur interesim për 21-vjeçarin, por ka këmbëngulur se nuk e ka në plan të largohet nga “Stadium of Light”. “Lioni është njëri prej shumë klubeve franceze që kanë shprehur interesim për Adnanin”, – ka thënë Devriese për “HLN”.
“Për shkak të respektit, ne dëgjuam ofertat, – ka vijuar ai. – Sidoqoftë, vendimi varet nga Mançester Junajtid dhe ne nuk kemi dëgjuar se klubi dëshiron ta shesë Adnanin.” Më herët, ishte raportuar se skuadra e Lionit kishte shprehur interesim për mesfushorin nga Kosova, por, me pasaportë belge, Adnan Januzaj.
E përditshmja e mirënjohur franceze “L’Equipe”, ka shkruar se Lioni ka filluar negociatat me Mançester Junajtid për transferimin e Januzajt gjatë kësaj merkatoje dimërore. Klubi francez po kërkon huazimin e Januzajt deri në fund të këtij edicioni, me detyrim të blerjes së kartonit në verë.
Tek Lioni, Januzaj po shihet si zëvendësim i përshtatshëm për algjerianin Rashid Ghezal, i cili i është bashkuar përfaqësueses së vendit të tij në Kupën e Kombeve të Afrikës. Futbollisti algjerian ka refuzuar gjithashtu rinovimin e kontratës me ekipin francez, që i skadon në fund të këtij edicioni, duke paralajmëruar largimin e tij.
Ndërkohë, Januzaj aktualisht është pjesë e Sandërlendit, ekip ku është huazuar për një vit nga Mançester Junajtid. Tek Sandërlendi deri më tani ka 13 aktivizime dhe vetëm një pasim goli. 21-vjeçari Januzaj, ka një kontratë me “Djajtë e kuq” deri në verën e vitit të ardhshëm.