AlbanianSport.com 12.01.2017 11:35
ASNN – Të dielën, 100 garues nga Shqipëria e rajoni, do të sfidojnë të ftohtin duke u nisur nga sheshi “Nene Tereza”. Kështu, duket se as reshjet e dëborës, as ngricat e as temperaturat e ulura ndjeshëm nuk do t’i stepin të apasionuarit pas garave me biçikleta, të realizojnë për të dytin vit radhazi, maratonën çiklistike në variantin “Cross Country”.
“Jemi 100 çiklistë që marrë pjesë në këtë garë dhe kjo bora sikur e zbukuroi më shumë, pasi edhe ajo pjesë që do të ishte baltë është dëborë, – ka thënë organizatori i garës, Edvin Kasimati, duke folur për mediat shqiptare. – Gara do të mbahet mend më gjatë me dëborën që ka rënë.”
Gara do të ndahet në 3 kategori kryesore: profesionistë të rinj nën-18 vjeç dhe profesionistë të rritur, amatorë të rinj e të rritur si edhe mjeshtëra e veteranë. “Është një garë rreth 51 kilometra, – ka sqaruar ai më tej. – Do të nisë ditën e diel në orën 10:00 të mëngjesit në Sheshin “Nënë Tereza”.”
“Do të kalojë nëpër Baldushk, Vaqarr dhe do të përfundojë tek diga e Liqenit Artificial”, ka përfunduar Kasimati, i cili ka zbuluar se, për fituesit, do të ketë edhe shpërblime për disa kategori dhe për atë që do të quhet çiklisti më i mirë, i cili do t’ia dalë të përshkojë trajektoren e plotë, në kohën më të mirë.