AlbanianSport.com 12.01.2017 09:20
ASNN – Tanimë kuqezinjtë janë jashtë 50-shes së botës, pasi Kombëtarja shqiptare ka humbur 2 vende në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë ranë në vendin e 51-të, pasi janë ngritur skuadra të tjera si Arabia Saudite apo Nigeria. Pritet që muajin e ardhshëm Shqipëria të humbë të tjera vende.
Kjo për arsye se përfaqësueset e vendeve afrikane, që janë të impenjuara në Kupën e Kombeve të kontinentit të zi gjatë muajit janar, mund të fitojnë pozicione që do të rezultojnë në dëm të Shqipërisë. Rivalët e Kombëtares Shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2018 nuk kanë ndryshuar pozicione, me përjashtim të Lihtenshtejnit.
Spanja ruan vendin e 10, Itali të 16-in, Izraeli vendin e 55-të, Maqedonia në vendin e 162-të, ndërsa Lihtenshtejni ka fituar një pozicion. Këtë renditje botërore kryeson Argjentina, ndërsa në ndjekje të saj janë Brazili dhe Gjermania. Kështu, edhe pse nuk ka zhvilluar një ndeshje miqësore apo zyrtare, kombëtarja shqiptare e futbollit ka zbritur 2 shkallp në renditjen e FIFA-s, në krahasim me fundin e vitit 2016.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi tashmë e shohin veten në vendin e 51-të, me 618 pikë, duke dalë kështu jashtë 50-shes më të mirë pas shumë kohësh. Përsa i përket kreut të kësaj renditjeje, nuk ka ndryshime. Argjentina vazhdon të jetë në vendin e parë me 1634 pikë.
Bardhekaltërit ndiqen nga një tjetër rivale amerikanolatin, Brazili, në të dytin, ndërkohë që Gjermania është e pozicionuar e 3-ta. Renditja vijon me Kilin, Belgjikën dhe Kolumbinë, ndërkohë që Spanja, që është në grupin eliminator të Shqipërisë, edhe këtë radhë është e 10-ta, pas Portugalisë e Uruguajit. Nuk ka pësuar ndryshim në renditje as Italia, që është në vendin e 16-të.