Gjergj Vyshka 11.01.2017 09:35
Kapiteni i Studentit: “Po të mos kisha oreksin për fitore dhe trofe nuk do të vazhdoja të isha pjesë e ndonjë ekipi. Çdo gjë është e mundur për ne.” Studenti në volejboll për meshkuj ka pasur një pjesë të parë të sezonit me shumë luhatje, që janë shoqëruar me eliminimin nga Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Kupa e Shqipërisë.
Dhe, për rrjedhojë edhe vendi i 5-të në renditje në fund të fazës së parë, gjë që u pasqyruar dhe me një paraqitje jo të mirë ndaj turqve të Zirat Bankasi të Ankarasë në “Challenge Cup”, nuk ka qenë sukses. Blerim Pepa, kapiteni i Studentit, pranon se ka qenë një paraqitje me luhatje.
Por, sipas tij, kjo ishte e pritshme edhe për shkak të moshës mesatare të ekipit dhe lojtarëve të rinj që ka në ekip. Por nuk pranon që ekipit t’i ketë mbaruar motivimi dhe dëshira për të marrë trofe. E sheh të nevojshme marrjen e përforcime dhe e lëshon “dorashkën” në intervistën e tij për “Sport Ekspres”.
“Llogaritë i bëjmë në fund, titullin është sfidë për të gjithë ne”, – thotë ai, në intervistën që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Si kapiten i Studentit, si do ta komentoje pjesën e parë të sezonit për skuadrën tuaj?
– Një pjesë e parë me luhatje. Por duke marrë parasysh moshën mesatare të ekipit, apo dhe lojtarët e rinj që janë afruar në skuadër deri diku ishte një situatë e pritshme. E megjithatë nuk ka përfunduar asgjë.
– Pa ju fyer, ndoshta ju ka rënë në një farë mënyre motivimi dhe dëshira në tërësi për të luajtur fort e për të fituar trofe? Kam parasysh se një situatë e tillë me një pjesë të mirë e juaja ishte dhe tek Tirana sezonin e kaluar?
– Në fakt një individ, apo dy të tillë, nuk përfaqësojnë dot të gjithë ekipin. Sepse skuadra është e përbërë nga staf lojtarësh dhe drejtuesish që shkojnë diku tek 15 persona. Dhe personalisht nuk e kam menduar diçka të tillë, sepse po të mos kisha oreksin për fitore dhe trofe nuk do të vazhdoja të isha pjesë e ndonjë ekipi.
– Atëherë çfarë ka ndodhur me Studentin, u eliminuat në Kupën e Federatës dhe Kupën e Shqipërisë, paraqitje jo të mira me turqit e Zirat Bankasi Ankara dhe tani në kampionat vendi i pestë në renditje, që do të thotë larg “play-off”-it?
– Përsa i përket ndeshjeve evropiane me Zirat Bankasi Ankara nuk do të guxoja të thoja se ishin jo të mira. Sepse të luash me një ekip profesionist që stërvitet 6 orë në ditë është shumë e vështirë. E që këtu fillon disavantazhi. Pa përmenduar anën financiare, që ata e kishin disa herë më të lartë se sa ne. Kurse eliminimi nga Kupa e Shqipërisë vazhdon të na djegë edhe tani, sepse realisht nuk shprehëm lojën tonë. Për kampionatin ka mbaruar vetëm faza e parë dhe nuk del njeri kampion që tani. Aq më tepër që kemi dhe play-off për kampionat, atje ku dhe vendi i katërt ta jep mundësinë për të luftuar për titull.
– Duke qenë në këtë situatë, a ka nevojë skuadra për përforcime?
– Normalisht që ka nevojë, sepse edhe pozicioni jonë në kampionat nuk është komod. Aq më tepër që çdo përforcim i ardhur do t’i shërbente skuadrës, pasi duke parë dhe pjesën e parë të sezonit me oshilacione, atëherë ekipi ka nevojë për element forcues. Por kjo është diçka që e vendos klubi dhe trajneri i skuadrës.
– Çfarë duhet të presim nga Studenti në pjesën e dytë të sezonit?
– Unë besoj se do të jetë një ekip më luftues, sepse na presin sfida më të forta nga këto që kemi luajtur deri më tani. Çdo gjë është e mundur?
– Së fundi, titulli “kampion” përsëri i Studentit?
– Kjo është një sfidë për të gjithë ekipin. Por duhet t’ia lëmë parketit dhe fushës së lojës.